Projekti ‘Laboratori i debatit mbi Integrimin Europian në Auditoret Universitare’, zhvilloi ditën e hënë, 25 nëntor 2019 trajnimin e mentorëve të debateve universitare në Tiranë dhe Durrës. Takimi uli së bashku pedagogët, trajnuesit dhe ekspertët e debatit universitar për integrimin europian në një tryezë. Gjatë eventit Z. Klodjan Seferaj, menaxher programi pranë Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) u ndal në rëndësinë e debatit dhe kulturës së të debatuarit si edhe ne prezantimin e iniciativave të OSFA-s në Shqipëri, në këtë drejtim dhe synimin për të kaluar në nivel rajonal. Ndërkohë, Dr. Blerjana Bino shpjegoi se qëllimi i projektit është të përforcojë njohuritë dhe të zhvillojë analizën kritike të komunitetit të studentëve e kërkuesve të rinj lidhur me Integrimin Europian dhe ndikimin shumëdimensional të tij në Shqipëri. Projekti synon të arrijë këtë përmes organizimit të turnamentit të debatit në auditorët universitare, në 13 institucione të arsimit të lartë në Durrës dhe Tiranë në këtë fazë pilot. Ky projekt mbështetet nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Shqipëri (OSFA) dhe zbatohet nga Qedra për Shkencë, Zhvillim dhe Inovacion (SCiDEV).
Krahas prezantimit të projektit, një hapësirë e veçantë ju kushtua diskutimit dhe përcaktimit të temave të debatit përmes lehtësimit nga ekspertët Prof. Assoc. Dr. Nevila Xhindi dhe Dr. Fabjan Lashi. Diskutimi për temat u bazua tek tre shtylla kryesore: (i) prioritetet e integrimit Europian të Shqipërisë sa i takon reformës në administratën publike, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar; zbatimi i reformës në drejtësi; (ii) ndikimit në fushën e teknologjisë, tregut të punës dhe konkurrencës, bujqësisë dhe agro-biznesit si edhe arsimit dhe shkencës; dhe (iii) debatet aktuale në Bashkimin Europian si dilema e zgjerimit vs. thellimi, migracioni, populizmi dhe inteligjenca artificiale. Pjesëmarrësit identifikuan rreth 15 tematika konkrete të cilat do të formulohen sipas kërkesave të debatit të strukturuar dhe do të konsultohen me palët e interesuara. Gjithashtu, u prezantua edhe formati i debatit, një ndërthurje midis Cross-Examination and Karl Popper duke i ofruar studentëve mundësinë të përdorin analizë kritike dhe logjikë të fortë pro dhe kundra për tematika me rëndësi.
Ndër të tjera, gjatë takimit u diskutua mundësia për ngritjen e një rrjeti akademikësh për studime të mëtejshme në fushë, si dhe për angazhimin e studentëve në analiza të procesit të integrimit. Projekti synon të rigjenerojë kulturën e debateve universitare, ndaj u fol dhe për sinergji me iniciativa të tjera paralele, si edhe mundësia me ndërthurjen e programeve ERasmus+, Jean Monnet, IPA etj. Në një rrafsh më të gjerë, pjesëmarrësit diskutuan dhe mbi mundësinë e një qasjeje rajonale mbi debatin universitar lidhur me çështjet e integrimin europian. Ky trajnim u mbajt në ambjentet e Institutit Kanadez të Teknologjisë.
Akseso axhenden e plote!